Pas rritjes së temperaturave gjatë ditëve të fundit, duket se i është nxehur gjaku edhe njerëzve.
Ndryshe nuk ka sesi të shpjegohen 3 raste konfliktesh fizike në mes të qytetit të Durrësit, ku të përfshirë kanë mbetur burra e gra.
Gjatë paradites së sotme, DurrësLajm solli pamjet nga një rrahje në mes të qytetit të Durrësit, në lagjen nr.2, pranë gjykatës (lexo këtu).
Ndërkohë, policia e qytetit bregdetar njofton edhe për dy raste të tjera dhune fizike, njëri i regjistruar në një lokal në lagjen nr.3, ndërsa tjetri i konsumuar në mes të rrugës, në lagjen nr.6, që ka pasur për protagoniste dy femra.
Sipas policisë, “shtetasi G.H, vjeç 23, banues në Durrës, dyshohet se, në lagjen Nr. 3, në një lokal, ka goditur me grusht shtetasin P.Ë, vjeç 40”.
Ndërsa në lagjen nr.6, shtetasja E.M, vjeç 37, banuese në Durrës, ka goditur në fytyrë 39-vjeçaren M.D, banuese po në qytetin bregdetar.
Policia ka përcjellë dosjen për në Prokurorinë e Durrësit për 23-vjeçarin G.H. dhe për shtetasen E.M., 37 vjeçe. Të dy akuzohen për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.





