Giuseppe Conte, kryeministri i mandatuar të formonte qeverinë e re italiane ka hequr dorë nga kjo detyrë. Në një deklaratë të shkurtër Conte tha para gazetarëve se i kishte komunikuar presidentit të vendit Sergio Mattarella vendimin tij.
"Siç edhe e kisha lajmëruar edhe më parë, kam hequr dorë nga formimi i qeverisë së re italiane. Falenderoj Presidentin e Republikës dhe krerët e dy partive politike (Lëvizja 5 yjet dhe Lega Nord) që zgjodhën emrin tim. Ju siguroj se dhashë maksimumin tim për ta përmbushur me sukses këtë detyrë që dy partitë më ngarkuan," tha Conte.
Mbrëmjen e së dielës është zhvilluar edhe një takim në presidencë mes kreut të shtetit, Matarrella dhe liderit të "Lëvizjes 5 yjet", Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini të Lega Nord.





