18 mars 2014 – Libri mbi të Dhënat për Pasurinë Globale, i hartuar nga Instituti Kërkimor i Credit Suisse, tregon se pasuria neto e shqiptarëve të rritur ra me 36 përqind që prej krizës ekonomike të vitit 2008. Credit Suisse përllogarit se Shqipëria është një vend me të ardhura të ulëta të mesme në vitin 2013.

Të ardhurat për frymë për çdo të rritur përllogariten në 9.450 dollarë. Sipas këtij raporti, në vitin 2013, çdo shqiptar ka 1.780 dollarë në pasuri financiare, 8.390 dollarë në pasuri jo-financiare dhe 647 dollarë borxh.

Nga viti 2000 deri në vitin 2013, pasuria për frymë e shqiptarëve është trefishuar nga 3.086 dollarë në 9.450 dollarë.

Sipas raportit, 72.1 përqind e shqiptarëve kanë një pasuri prej më pak se 10 mijë dollarë. 26.6 përqind kanë një pasuri nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë dhe vetëm 0.7 përqind kanë një pasuri prej 100 mijë deri në 1 milion dollarë.

Pasuria për frymë e shqiptarëve u rrit me shpejtësi nga viti 2000 deri në vitin 2007, kur kërceu nga 3.086 dollarë në 14.821 dollarë. Pjesën kryesore këtu e zinte pasuria jo- financiare, që u rrit nga 2.542 dollarë në 12.537 dollarë.

Por të ardhurat për frymë të shqiptarëve nisën një rënie pikiatë nga viti 2008 deri në vitin 2010, kur nisi edhe kriza financiare botërore.

Kështu, të ardhurat për frymë ranë në këtë periudhë me 5.797 dollarë, nga 14.821 dollarë në 9.024 dollarë.