“Kur do martoheni?”, ka qenë një pyetje që prej shumë vitesh i është drejtuar nga gazetarët. E më në fund futbollisti portugez Cristiano Ronaldo i ka propozuar partneres së tij, Georgina Rodriguez. Lajmin e bëri publike kjo e fundit përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë me fansat një foto të unazës së fejesës.
Rodriguez e shoqëroi fotografinë me mbishkrimin:“Po, pranoj! Në këtë jetë dhe në të gjitha jetët e mia.”
Çifti i famshëm janë bashkë prej nëntë vitesh, por Ronaldo ishte treguar i rezervuar deri më tani për t’i bërë propozimin. Megjithëse shpesh herë paparacët e pyesnin se kur do të kishte një martesë mes tyre. Tashmë duket se ai më në fund e ka bërë hapin e madh.
Spekulimet për një fejesë nisën që në muajin prill, kur Georgina publikoi një foto tjetër me një unazë të ndryshme në dorë.
Megjithatë edhe në dhjetor të vitit 2024, gjatë ndarjes së çmimeve Globe Soccer Awards në Dubai, Ronaldo pati lënë të kuptohet se së shpejti mund të kishte një propozim.
Ronaldo dhe Georgina kanë dy vajza së bashku: Alana, 7 vjeçe dhe Bella, 3 vjeçe (ndërsa binjaku i Bella-s, Angel, fatkeqësisht vdiq gjatë lindjes).
Georgina gjithashtu ka ndihmuar në rritjen e tre fëmijëve të tjerë të Ronaldos: Cristiano Jr., 15 vjeç, si dhe Mateo dhe Eva Maria, të dy 8 vjeç.





