Tiranë, 17 mars 2014 – Agjencia britanike Crown Agents, ka nisur sot zyrtarisht punën në terren, pas një ceremonie në Doganën e Tiranës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh mjaft optimist për punën që do të bëhet, ndërsa tha se Crown Agents nuk kanë ardhur thjesht për të rritur të ardhurat në Doganat Shqiptare, por kanë ardhur të na ndihmojnë për të kaluar nga një epokë në një epokë tjetër, nga një sistem në një sistem tjetër.

“Të gjithë punonjësit do t’i nënshtrohen një provimi, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me të gjithë punonjësit e tatimeve, edhe me punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, si dhe me të gjithë punonjësit e këtij shteti. Nuk është vetëm vullneti i mirë, por është dija që na ndihmon të përparojmë. Nuk është vetëm ndershmëria, por edhe kapaciteti intelektual i çdokujt që ka në dorë hapjen e një procedure, dhe për këtë Crown Agents do të jetë një ndihmë e madhe. Sepse një nga virtytet e kësaj trupe, është pikërisht rritja dhe fuqizimi i kapitalit njerëzor. Jam i bindur se pas tre muajsh, secili do të ndihet më mirë, me profesionin e tij, me vendin e  punës, sepse do të jetë shumë më i kualifikuar, falë kësaj shkolle.”-tha Rama.

Kryeministri theksoi se me anë të këtij procesi synohet transformimi rrënjësor dhe historik, një drejtimi i ri i doganave, i cili bazohet tek filozofia e re se shteti është në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të sipërmarrjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/