Kemi hyrë në dyjavëshin e fundit të gushtit ku temperaturat nuk kanë më nxehtësinë e ditëve të para të muajit por sërish zona bregdetare është e frekuentuar nga pushues të trevave shqip-folëse.
Të ardhur kryesisht nga shteti fqinj i Kosovës turistët shprehen mjaft të kënaqur me gjithçka kanë gjetur në lagjen turistike të Durrësit. Sipas tyre, problem mbeten kushtet higjenike në plazh i cili pavarësisht ndryshimeve sërish nuk është në nivelin e duhur si dhe afërsia e çadrave me njëra-tjetrën.
Besnikë të plazhit mbeten shitësit ambulant përgjatë plazhit, të cilët tregtojnë produktet e tyre në mënyra të ndryshme, për të siguruar të ardhura për ditën që do agojë sërish. Lagjja e plazhit në qytetin e Durrësit është mjaft e gjallë dhe alegrike përgjatë stinës së nxehtë kjo për faktin se numri i popullsisë në këtë zonë shumëfishohet ndaj dhe bizneset krijojnë mundësi të ndryshme argëtimi me muzikë livë e gërshetuar me muzikën e bukur të dallgëve të detit.





