Dy bashkëshortë që administrojnë një qendër trajnimi për qen në Durrës janë shpallur në kërkim nga policia, sepse akuzohen për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”.

Supas dy shtetasve që i kanë denoncuar në polici, ata kishin çuar në qendrën e dy bashkëshortëve qentë e tyre për trajnim, por nuk i kanë marrë më.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim shtetasit G. S., 40 vjeç, dhe R. S., 35 vjeçe, bashkëshortë, banues në Durrës, të cilët administrojnë një qendër trajnimi për qen, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”.
Ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit R. I. dhe M. D., se janë mashtruar, duke dërguar qentë e tyre për trajnim dhe nuk i kanë marrë më. Punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të rastit.“- bën të ditur policia vendore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.