Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thirri sot në një takim drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet e zonave bregdetare dhe shefat përkatës të komisariateve. Ai ndau disa shqetësime të lidhuara posaçërisht me turizmin dhe vëmendjes që i duhet kushtuar sezonit.
“Siç ndodh zakonisht dihet që kulmi pritet në muajin gusht. Pavarësisht se kemi bërë përmirësime të shumta nga vitet e kaluara sërish po shohim fenomene që kurrsesi nuk duhen toleruar”, tha Çuçi.
Duke u ndalur tek respektimi i orarit të lejuar të muzikës në lokalet e natës, baret apo restorantet, ministri kërkoi zbatimin rigoroz të ligjit pa asnjë përjashtim për të gjithë subjektet.
“Është e patolerueshme të ketë biznese me muzikë pas orës 23:00 gjatë javës dhe pas orës 00:00 në fundjavë. Do të keni punë me mua nëse nuk e merrni seriozisht këtë punë. Më keq akoma kur në ndonjë rast ka subjekte që tolerohen duke prishur kështu edhe konkurrencën në biznes e duke krijuar pakënaqësi. Ligji është i njëjtë për të gjithë”, tha Çuçi.
Lidhur me skafet apo motorat e ujit që përdoren përgjatë bregut nga pushuesit, ministri i Brendshëm kërkoi nga Policia e Shtetit reagim të menjëhershëm dhe pa asnjë tolerim ndaj kujtdo që shkel kordonët e sigurisë në plazh dhe rrezikon pushuesit.
“Vëmendje maksimale edhe në këtë pikë. Zero tolerancë për këto që bën akrobaci me motorë uji, që kapërcen kufizimet dhe rrezikon njerëzit. Këto s’kanë lidhje me turizmin që duam të zhvillojmë ne”, është shprehur ministri Çuçi.