Drejtuesi qëndror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri Fuqiplotë Bledi Çuçi ishte sot në Manëz të Durrësit, bashkë me deputetin Fidel Ylli.
Ministri iu tha banorëve të prekur nga tërmeti se qeveria do të garantojë bonusin e qirasë për deri në muajin maj 2021
“Këtu çdo gjë është në rregull përsa i përket kanalizimeve, ngrohjes dhe ndriçimit. I vetmi problem deri më tani është një ambient i përbashkët për kuzhinë dhe lavanteri. Biseduam me administratorin dhe do të marrim një ambient këtu pranë me qira, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj çështje. Të gjithë banorët e prekur nga tërmeti i kemi sistemuar në kabina. Kjo është faza më e rëndësishme në kushtet e kësaj fatkeqësie natyrore. Për vlerësimin përfundimtar të godinave të dëmtuara do të vijë një tjetër grup i posaçëm”, tha Çuçi.
Gjatë ndalesës në Manzë ministri pa nga afër edhe disa prej banesave të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor. Ndërkohë grupet e përbashkëta të inxhinierëve vijojnë punën në terren për vlerësimin e dëmeve të fatkeqësisë natyore.
Në përfundim të këtij procesi do të përgatitet raporti përfundimtar, që i hap rrugë mbajtjes së konferencës së donatorëve dhe më pas programit të rindërtimit.





