Gjatë vizitës në Tiranë të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, sot është nënshkruar marrëveshja mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Spanjës mbi luftën kundër krimit. Për palën shqiptare nënshkrimi është bërë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ndërsa për palën spanjolle nga ambasadori Álvaro Renedo Zalba.

Shqipëria dhe Spanja do të ngrenë grupe të përbashkëta hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.

Spanja si vend anëtar i BE-së mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë kur është fjala te bashkëpunimi policor dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Shqipëria ka ngritur gjithashtu një seri skuadrash hetimore edhe me vende të tjera të Bashkimit Europian, të cilat kanë dhënë rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar.