Tiranë, 22 korrik 2014 – Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi deklaroi se Këshilli i Ministrave është gati të dërgojë në Kuvend projektin final të ndarjes së re territoriale. Ministri deklaroi se projekti për ndarjen e re territoriale me 61 bashki dhe relacioni i Këshillit të Ministrave do t’i dërgohet Kuvendit:
“Sot Këshilli i Ministrave miratoi projektin për ndarjen e re administrativo territoriale sipas propozimit të bërë nga komisioni i posaçëm. Qëndrimi për reformën është i qartë dhe i prerë në mbështetje të propozimit të ardhur nga një punë kolosale e komisionit. Projekti për ndarjen e re me 61 bashki që ka dalë pas një analize të plotë në bazë të kritereve të miratuara nga komisioni. Së bashku me relacionin Këshilli i Ministrave do të dërgojë në Kuvend materialet që kanë të bëjnë me analizën funksionale të të gjithë bashkive të propozuara për hartën e re si dhe me dokumentacionin e plotë që lidhet me konsultimet”,tha ministri.
Çuçi theksoi se Himara është e Shqipërisë dhe do të qëndrojë si bashki, ndërsa përmendi se përjashtim bëjnë vetëm 3 zona minoritare, të cilave i është ruajtur identiteti si të tilla:
“Himara një nga 58 zonat funksionale, Himara është e Shqipërisë, përveç 3 zonave minoritare. Himara e krijuar si një bashki e ardhshme, është shqiptare”,u shpreh Çuçi.
Pas shprehjes së qeverisë për këtë variant, komisioni do të hartojë draftin final, të cilin do ta dërgojë për miratim në parlament në seancën e 31 korrikut. Në këtë kohë mazhoranca ka theksuar se do të presë deri në minutën e fundit që t’i bashkohet opozita.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





