Kombëtarja shqiptare e futbollit, pas vendimit të marrë nga delegati i ndeshjes për ndërprerjen e takimit ndaj Maqedonisë, ka shkuar menjëherë në restorantin e stadiumit “Loro Boriçi”, për të konsumuar një darkë të shpejtë.

Po ndërsa homologët e tyre maqedonas janë kthyer qetësisht në hotelin e tyre në qytetin e Shkodrës, futbollistët e kombëtares shqiptare janë detyruar që të udhëtojnë me autobus drejt Shëngjinit për të kaluar natën.

Arsyeja për këtë situatë të krijuar është se FSHF-ja nuk kishte rezervuar hotel në Shkodër për natën e së hënës dhe dhomat që kishin pasur futbollistët, ishin rezervuar nga njerëz të tjerë.

Fillimisht u mendua që skuadra do të shkonte në Shëngjin, për të kaluar atje natën, por më pas, “SuperSport” raportoi se stafi i FSHF-së kishte arritur të siguronte një hotel më të afërt me Shkodrën, në Bushat.