29 shtator 2015 – Tragjike dhe komike njëkohësisht. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që një ndeshje të luhet normalisht për një pjesë loje dhe më pas, në pushim, të ndërpritet me një telefonatë. Shkaku? Detyrimet e klubeve ndaj FSHF-së.
Një ngjarje e rrallë, e denjë për t’u treguar si humor sportiv, ka ndodhur dje në Tepelenë. Të gjithë ishin bërë gati për derbin ndaj Memaliajt, ekipet, forcat e rendit, zyrtarët e takimit dhe tifozët gjithashtu. Sfida nis normalisht dhe zhvillohet një lojë e fortë për 45 minuta, ku rezultati është 0-0. Kur të gjithë bëhen gati që të fillojë pjesa e dytë pas pushimit, një telefonatë nga zyrat e FSHF-së për delegatin e takimit, Kosta Zaro jep urdhrin e prerë: të ndërpritet ndeshja. Shkak për këtë janë bërë detyrimet financiare që këto dy klube nuk kanë shlyer ndaj FSHF-së për pjesëmarrjen në kampionat.
Delegati ua bën të ditur urdhrin shefave të klubeve, në një kohë që nisin debatet mes palëve. Por, nuk ka më kthim mbrapa dhe lojtarët nisin të zhvishen. Tifozët irritohen me përfaqësuesit e FSHF-së, në një kohë që shprehen se kanë shpenzuar për të qenë në stadium dhe nuk mund të largohen pas një vendimi, sipas tyre, absurd. Janë dashur rreth 20 minuta që 1000 tifozët të largoheshin. Ajo që ndodhi dje është një absurditet i madh, pasi FSHF-ja mund t’i lajmëronte klubet minimalisht një ditë përpara dhe të shpëtoheshin shpenzimet që kanë bërë skuadrat, zyrtarët e ndeshjes, forcat e rendit dhe tifozët.
Në reagimin e tij, trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi, u shpreh: “Jemi njoftuar në orën 12 të natës të së shtunës nga drejtuesit e sektorit të garave se, në rast se nuk paguanim 7 milionë lekë të vjetër, ndeshja nuk do të zhvillohej. Të premten ne kemi bërë federimet dhe kemi derdhur 3 milionë lekë dhe nuk na është komunikuar se keni edhe një shumë tjetër detyrim. Kur dihet që është e diel, ditë pushimi, ku mund t’i gjejmë paratë. Po të gjitha këto shpenzime kush do t’i paguajë, sektori i garave?! Pse këta zotërinj veprojnë kështu kur edhe ekipet e tjera nuk i kanë paguar paratë, në një kohë që është luajtur Domosdova Gramozi. Ca të nënës, e ca të njerkës”, shprehet i revoltuar Selimi.
Të tjerat
Gjithashtu, dje nuk u luajtën as Naftëtari-Himara dhe Bilisht Sporti-Përmeti, pasi klubet kishin detyrime ndaj FSHF-së. Në Kuçovë, klubi vendës kishte marrë të gjitha masat dhe interesimi i tifozërisë ishte i madh. Madje, skuadrat kanë bërë nxemjen e zakonshme dhe është plotësuar edhe protokolli. Por, zyrtarët e takimit nuk kanë pranuar zhvillimin e ndeshjes. Për të respektuar tifozët, ekipet kanë luajtur një miqësore me dy pjesë me nga 30 minuta.
/portali DurresLajm/