30 tetor 2015 – Çudi turke! Vetëm kështu mund të përkufizohet ajo që ka ndodhur në përfundim të sfidës së vlefshme për javën e 10-të të Superligës turke mes Trabzonsporit dhe Gaziantepsporit. Mund të ngjasojë me diçka të pabesueshme, por në përfundim të takimit, që u mbyll me shifrat e barabarta 2-2, arbitri kryesor i ndeshjes Cagatay Sahan dhe asistentët e tij u mbajtën me forcë për plot 4 orë në ambientet e stadiumit të Trabzon-it, pasi nuk akorduan një penallti në favor të skuadrës vendase.
Gjithçka ndodhi me urdhër të presidentit të Trabzonsporit, Ibrahim Haxhiosmanglu, i cili ndaloi kastën arbitrale të largohej nga stadiumi pa dhënë më parë shpjegime për penalltinë e mosakorduar në favor të skuadrës që drejtohet nga trajneri gjeorgjian Shota Arveladze. Në atë takim, Trabzonspori arriti të rikuperonte dy gola disavantazh duke barazuar shifrat, por nëse kryesori Sahan do të kishte akorduar 11-metërshin që pretendonin vendasit, këta të fundit mund ta kishin fituar ndeshjen. Vendimi i arbitrit acaroi së tepërmi edhe tifozët e pranishëm në stadium. Për të bërë të mundur largimin e gjyqtarëve nga impianti u desh ndërhyrja e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili me një telefonatë qetësoi numrin 1 të Trabzonsporit duke prishur edhe planet e këtij të fundit, që në një intervistë pas ngjarjes deklaroi me tone ironike: “Nëse kemi për të vdekur, do të vdesim si burra, por kurrë nuk do të jetojmë si gra“.
/portali DurresLajm/