19 qershor 2015 –Humbja ndaj Danimarkës ka shuar thuajse shpresat për një kualifikim të mundshëm në Evropian, por nuk mendon kështu Tomislav Karaxhiç.

“Unë besoj se meritojnë më shumë. Ne vërtet humbëm ndaj Danimarkës, por nuk e turpëruam veten. Do të ishte e pandershme të thoja se nuk kishim ndryshim të dukshëm në lojën tonë, krahasuar me kualifikueset e mëparshme. Natyrisht, ashtu si lojtarët, edhe tifozët duan rezultate të mira, por kjo që po na ndodh është edhe punë fati. E pra, nëse Mitroviç do të kishte realizuar, jam i bindur se do ta kthenim rezultatin. Ne besojmë në punën e trajnerit Çurçiç dhe jemi të sigurt se do të vijnë rezultatet që të gjithë duam”, tha presidenti i Federatës Serbe të Futbollit.

Ai nuk heq dorë nga kualifikimi i mundshëm. “Përderisa ka ende shanse, pa marrë parasysh sa përqindja e tyre është e vogël, ne do të luftojmë deri në fund. Para nesh është Armenia, pastaj Shqipëria… Lojtarët dhe trajneri ynë do të bëjnë gjithçka për të arritur rezultate të mira në kualifikueset e mbetura, për të shpresuar te vendi i tretë”, theksoi ai.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/