Rruga pranë ish-zonës së Kënetës në qytetin e Durrësit vazhdon të mbetet problematikë për këmbësorët. Por këtë herë nuk është mungesa e një mbikalimi që përbën problem, por rreziku që marrin përsipër kalimtarët e zonës duke mos e respektuar atë dhe duke përdorur rrugën e automjeteve për të kaluar.

Pak ditë më parë, kreu i njësisë administrative nr.6 Serjan Mazreku njoftoi vendosjen e mbikalimit, që pritej t'i jepte zgjidhje problematikës që shpesh banorët e kanë ngritur në media.

Por sot, pleq e të rinj preferojnë më shumë të rrezikojnë sesa të ngjiten në mbikalim.

Sikurse duket edhe nga pamjet e dërguara në “Ti raporton”, në Top Channel disa prej këmbësorëve nuk përdorin mbikalimin për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, por e përshkojnë atë mes-përmes. Madje ata kanë prishur edhe një pjesë të barrikadës anësore të saj në mënyrë që të krijojnë kalime alternative.

Me sa duket, banorët e zonës janë mësuar me metodën e vjetër të kalimit të rrugës!