Në këto 28 vite demokraci, shumëkush ka nxituar të kthejë në pronë të tij, pronën e dikujt tjetër apo një hapësirë publike.
Megjithëse vitet e fundit ky fenomen ka ardhur duke u ‘rrudhur’, kjo edhe për shkak se nuk ka mbetur më pronë pa u privatizuar, hapësirat publike vijojnë të mbeten një mall i dëshiruar për abuzuesit.
Kështu ka ndodhur një ditë më parë në Durrës, kur në lagjen nr.11 është konstatuar se një 38-vjeçar kishte montuar një piston elektronik për bllokim rruge, e cila s’është as më pak e as më shumë por një hapësirë publike.
Mesa duket shtetasi A.Sh. banues në Durrës, kishte vendosur ta kthente këtë pjesë rruge në parking privat.
Pas konstatimit të këtij akti të paligjshëm nga ana e 38-vjeçarit, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal ndaj tij.





