Duket se zgjedhjet e këtij viti do të mbahen mend gjatë, jo vetëm për zvarritjen e tejskajshme, tej kufijve ligjorë të përfshirjes ose jo të PD-së dhe partive të tjera opozitare në zgjedhje, por edhe për pastrimin masiv të listave të të dyja forcave më të mëdha politike.

Si PS dhe PD eleminuan nga gara elektorale figura të gardës së vjetër, por edhe deputetë të kësaj legjislature, që për një sërë arsyesh të ndryshme kryetarët e partive respektive, Rama dhe Basha nuk preferuan t’i fusnin në lista.

Dhe të pakënaqur ka shumë, nga të dyja krahët. Duket se kësaj pakënaqësie nuk i ka shpëtuar edhe deputeti socialist i qarkut të Durrësit, Shkëlqim Troplini, i mbetur jashtë listës së PS.

Ai është pozicionuar në mbështetje të kandidatit të tretë në listën e LSI-së Durrës, Flamur Gjuzit.

Miqësia e vjetër me Gjuzin, duket se e ka shtyrë Troplinin të shfaqet krah tij në fushatë. Fotot që sjell DurrësLajm janë shkrepur sot gjatë një takimi në zonën e Shkallnurit.

Kujtojmë se Shkëlqim Troplini është një eksponent i së majtës, me reputacion të madh në zonën e Rrashbullit. Tradicionalisht i njohur si bastion i së djathtës, në zgjedhjet e fundit parlamentare, raporti i votave ndryshoi ndjeshëm, falë mbështetjes popullore që gëzon Troplini.

Me pozicionimin e Troplinit në krah të tij, kandidati i LSI-së Flamur Gjuzi do të tentojë të maksimalizojë votat e kësaj njësie administrative duke ia rrëmbyer ato PS-së. Duket se votat e bastionit të dikurshëm të PD-së do të ndahen mes PS dhe LSI.

Kujtojmë se njësia administrative e Rrashbullit është një nga zonat me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje në Durrës, të legalizuara tashmë nga institucioni i drejtuar deri pak ditë më parë nga Flamur Gjuzi.