Në njësinë administrative Manzë, pjesë e bashkisë së Durrësit, gjatë një kontrolli të territorit gjatë së enjtes, efektivët e policisë kanë mbetur të habitur kur kanë konstatuar në vendin e quajtur “Kodër Draç” dhe fshatin Bizë, bimë narkotike që kishin mbirë vetë.

Në njoftimin e policisë theksohet se në Kodër Draç janë konstatuar 386 bimë të dyshuara narkotike të llojit “Cannabis Sattiva” me lartësi 5–30 cm, të dyshuara të mbira në mënyrë të çrregullt, të cilat u bllokuan me cilësinë e provës materiale. Kjo sipërfaqe toke ku ato janë gjetur, vitin e kaluan ka qenë në përdorim të shtetasit B.Ç vjeç 46, banues në fshatin Armathë, i cili ndodhet “Arrest me Burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërsa në fshatin Bizë, në “vendin e quajtur ‘Përroi Bushejve Kodër’ nga kontrolli i territorit të bërë nga grupi i punës, janë konstatuar 13 bimë të dyshuara narkotike të llojit “Cannabis Sattiva” me lartësi 5cm , të cilat u bllokuan në cilësinë e provës material. Nga këqyrja dyshohet se ato janë të mbira, pasi janë të vendosur në mënyrë të çrregullt, nuk janë në kushtet e kultivimit të bimëve narkotike. Vitin e kaluar në këtë sipërfaqe toke ku ato janë gjetur, ka filluar proçedimi penal për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Tashmë duket se nuk janë vetëm trafikantët që i kultivojnë këto bimë, por duke gjetur kushte klimaterike të përshtatshme për rritje, edhe pse pa përkujdesjen e nevojshme, hashashi ka nisur të mbijë vetë dhe të shtojë sipërfaqet e gjelbëruara!