Kinë, 30 korrik 2014 – Bota e sportit ka njohur shumë çudira ndër vite, por kjo e fundit mund të jetë një ndër më të veçantat. Nuk është parë ndonjëherë një pistë vrapi drejtkëndore, por ja që një e tillë ekziston dhe gjendet në mes të një qyteti në Kinë. Kjo pistë tashmë është bërë e famshme jo vetëm brenda kufijve të vendit aziatik, por edhe jashtë tij, ndërkohë që po ju tregojmë historinë se si ndodhi e gjithë çudia.
Në stadiumin e rajonit të Tonghe do të shkonte një grup politikanësh dhe siç ndodh zakonisht në vendet komuniste, gjithçka duhet të dukej më së miri për sytë e udhëheqësve. Administrata e stadiumit, e përfshirë nga ethet e kësaj vizite të rëndësishme, ia la në dorë punëtorëve përfundimin e pistës, të cilët shpejt e shpejt u mjaftuan me vizat e drejta, duke mos harxhuar kohë me formën e zakonshme ovale. “Eshtë e vështirë të vraposh dhe mund të rrëzohesh shumë lehtë”, tha një banor i zonës, ndërkohë që një nga punëtorët pranoi se pista duket e shëmtuar, por mesa duket nuk do të ndryshojë sepse askujt nga administrata e stadiumit nuk i intereson më tani që kaloi vizita e udhëheqësve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





