Mund të hyjë në historinë e rrethrrotullimeve më jetëshkurtra jo vetëm të Durrësit, por edhe të mbarë vendit. Një prej dy rrethrrotullimeve që iu shtua qytetit bregdetar rreth një muaj më parë, ajo pranë kryqëzimit të zonës së njohur si ish-1 Maji (te Valuta), sot ka “shteruar”.
Me shpejtësi siç u ndërtua, ashtu dhe u hoq gjatë natës së të enjtes. Qytetarët e Durrësit, kur kanë përshkruar këtë zonë mëngjesin e sotëm, kanë mbetur të çuditur kur kanë parë që rotonda më e re ishte zhdukur, e në vend të saj ishte një platformë hekuri.
Por nuk përbën ndonjë dukuri të rrallë fakti që durrsakët të mbeten të çuditur me “metamorfozën” që iu ndodh rrugëve e shesheve prej kohësh. Shumë prej banorëve kontestuan për ndërtimin e dy rotondave fare pranë njëra-tjetrës. Mjaft prej tyre reaguan duke shprehur mendimin se rotondat duhej të ishin më të vogla, pasi paraqisnin vështirësi për kalimin e mjeteve të mëdha; ashtu siç kishte dhe shumë të tjerë që ishin dakord me arsyetimin që kjo lehtësonte trafikun, apo dhe nga ata që mendonin se kjo thjesht do e rëndonte më tepër situatën.
Megjithatë, mbeten ende të paqarta arsyet që rrethrrotullimi u hoq me shpejtësi gjatë natës, pa bërë ende dy muaj që prej ndërtimit të tij. Nuk dihet nëse projektuesi dhe inxhinieri kanë menduar ndërtimin e një rotonde me përmasa më të vogla, apo kanë konstatuar se ekzistenca e tij në atë kryqëzim, ishte thjesht në dëm të trafikut.





