“Kam katër fëmijë të mrekullueshëm, një vajzë dhe tre djem. Stela, Elvisi, Aldo dhe Mario, katër fëmijë që i japin jetë, motiv e shpresë familjes sonë që të trashëgojë akoma më tej emrin e mirë të fisit dhe të të parëve tanë. Vajza, Stela, është martuar dhe ka një vajzë, Heisin, pra jam bërë edhe gjysh. Unë jam i lidhur me fëmijët, i dua aq sa duhen fëmijët, por tani i kam më tepër si shokë. Ata kanë punuar që të vegjël, që në shkollë të mesme kanë mësuar dhe punuar. Është e rëndësishme që fëmijëve t’u futësh në gjak punën, sido që të jetë ajo, që të formohen, që të shkathtësohen, por edhe të kontribuojnë për familjen dhe veten e tyre. Unë kam qenë ministër kur djali i madh ka punuar si kamerier te një lokal i një mikut tim. Askush nuk e besonte se djali i ministrit punonte kamerier. Sot punojnë të tre djemtë bashkë, nga mëngjesi deri në darkë, duke zëvendësuar njëri-tjetrin. Djali i madh e ka mbaruar shkollën, dy të tjerët e vazhdojnë akoma, por edhe punojnë”.

Kështu shprehej Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane, 4 vite më parë në një intervistë.

Por dje në mbrëmje në emisionin “Top Show”, Ndoka i është rikthyer rrëfimit për familjen e tij dhe ka folur për fëmijët dhe djemtë e tij në veçanti.

Ndoka është shprehur se në kohën kur ka qenë ministër, djemtë i bënin jetë parazitare, por tashmë ata kanë zgjedhur të lënë shkollën dhe të largohen nga Shqipëria për të punuar në Maltë.

Ndoka tha se njëri prej djemve i punon kamerier dhe tjetri banakier në vendin ishullor pranë Italisë.   /Blitz.al/