Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli pranoi dhunën ndaj gazetarit të ABC News Eni Shehu, duke e argumentuar veprimin e tij që erdhi si pasojë e sjelljes së gazetarit. Në një prononcim për “Panorama Online”, Çuli sulmoi edhe njëherë publikisht gazetarin duke e quajtur të droguar dhe të bezdisshëm.

“Gjatë dy akteve të para të shfaqjes, i ulur në rreshtat pranë skenës, gazetari disa herë bënte batuta dhe ngacmime ndaj aktorëve. Nga llozha u përpoqa disa herë t’i beja me shenjë të pushonte, por për mbi 70 minuta vazhdoi me ngacmimet e tij ndaj aktorëve. Nuk pranoi të heshte dhe dukej që ishte në gjendje të droguar. Në pushim të dy akteve të para bashkë me asistentin tim, Bitraku i kërkuam të largohej nga salla. Nuk pranonte. Për këtë arsye u detyruam ta nxirrnim me forcë nga salla. Kjo ishte provë gjenerale dhe ai u bë shumë i bezdisshëm për aktorët”, tha Çuli.

Por, menjëherë në mbështetje të gazetarit Shehu, ka ardhur një prej kolegeve që ndodheshin në sallë. Gazetarja e “Gazetës Shqiptare” Fatmira Nikolli, dëshmitare e sjelljes së kolegut të saj gjatë premierës, hedh poshtë këtë version, e cila thekson se Eni nuk ka bërë asnjë lëvizje gjatë shfaqjes.

“Unë nuk e pashë çastin kur ndodhi përplasja mes drejtorit të teatrit dhe gazetarit të Abc-së sepse isha jashtë. Por, gjatë shfaqjes, ndryshe nga ç’pretendon drejtori, Eni Shehu nuk ishte as i dehur, as i droguar. Nuk ka nxjerre asnjë fjalë nga goja, nuk i ka ngacmuar artistet dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje. Këtë e them me siguri të plotë, pasi dy orët e para të shfaqjes derisa e nxorën jashtë, Eni ishte ngjitur me mua, aty në radhën e parë”, shkruan gazetarja.

Nga ana e tij, Eni Shehu është shprehur i gatshëm për të kryer testin e drogës e të përballet deri në gjykatë me Çulin për këto akuza që drejtori i ka atribuuar gazetarit, duke i cenuar rëndë imazhin.

“Po, jam gati të bëj testin e drogës, madje të përballem në gjykatë me shpifësin Hervin Çuli, i cili ka tentuar të prishë rëndë imazhin dhe besueshmërinë e profesionit që unë ushtroj, atë të gazetarit!”, shkruan Eni në “Facebook”.