Culture Trip i ka kushtuar një artikull 7 destinacioneve më të mira në Gadishullin e Ballkanit.
Një ndër shtatë vendet që propozon Culure Trip është edhe Riviera Shqiptare. Culture Trip është start up që ka njohur rritje të madhe, e cila operon në industrinë e turizmit, medias dhe argëtimit, me rreth 6.8 milionë ndjekës nga e gjithë bota.
Gadishulli i Ballkanit është “shtëpia” e disa prej destinacioneve më të bukura të Europës, shkruhet në artikullin e Culture Trip. Prej bregdetit Adriatik tek Alpet Dinarike, ky rajon i Europës është një surprizë dhe shton se do të jetë një çështje kohe përpara se të zbulohet prej të gjithëve sa i bukur është ky gadishull. Për të gjithë ata që do ta vizitojnë, më poshtë propozohen këto destinacione:
Split, Kroaci
Zagrebi është kryeqyteti i Kroacisë. Qyteti më i famshëm, që tërheq shumë turistë është Dubrovniku, por perla e vërtetë e këtij vendi të mrekullueshëm ballkanik është Spliti. I vendosur në bregun Adriatik, Spliti është një vend që duhet të shikohet patjetër nëse vizitoni Kroacinë. Këtu ju mund të admironi peizazhe të bukura bregdetare dhe, në të njëjtën kohë, rrënojat e lashta që ndodhen vetëm disa hapa nga deti.
Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë
Një nga qytetet më të famshme të Gadishullit Ballkanik është Sarajeva dhe është një vend që të gjithë duhet të vizitojnë të paktën një herë në jetën e tyre. E konsideruar si porta midis Lindjes dhe Perëndimit, qyteti ka një ndërthurrje të ndikimeve, grupeve etnike dhe feve. Sarajeva duhet të shihet jo vetëm për bukurinë dhe historinë e saj, por edhe për shkak se është vendi i përsosur për të organizuar udhëtime interesante ditore. Nga kryeqyteti i Bosnjës dhe Hercegovinës, ju mund të arrini lehtësisht në qytetin historik të Mostarit, fshatin e bukur të Blagaj ose kaloni një ditë në plazh në qytetin bregdetar të Neumit.
Gjiri i Kotorrit, Mali i Zi
Përgatituni që të bini në dashuri me Malin e Zi. Ky vend i vogël ballkanik është shtëpia e disa prej vendeve më të bukura që do të shihni në jetën tuaj, siç është Gjiri i Kotorrit, një gji i mrekullueshëm që fillon në qytetin mesjetar të Kotorrit dhe mbaron pranë kufirit kroat. Kotori është i rrethuar me male madhështore. Gjiri i Kotorrit ka një koleksion të bukur të fshatrave të lashta, si Tivat, Perast dhe Herceg Novi që duhet të eksplorohen.
Riviera Shqiptare, Shqipëri
Nëse e doni bregdetin e egër, fshatrat e bukura, malet e larta dhe plazhet e paprekur, ka vetëm një vend për t’u vizituar: Riviera Shqiptare. Kjo zonë e mrekullueshme e Shqipërisë fillon nga kalimi i Llogarisë (30 minuta me makinë nga qyteti i Vlorës) dhe përfundon në plazhin e Ksamilit, i quajtur edhe perla e Jonit për shkak të bukurisë së saj. Nga Dhërmiu në Borsh, nga Jali në Lukovë, Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe të mrekullueshme që konkurrojnë bukurinë e brigjeve të tjera të njohura rreth Detit Mesdhe.
Plovdiv, Bullgari
Kur njerëzit mendojnë për Bullgarinë, Sofja vjen shpesh në mendje. Megjithatë, ka vende të tjera të bukura, të cilat i vlejnë një udhëtim, siç është Plovdivi, që konsiderohet si qendër kulturore e kombit. Pika kryesore e qytetit është një amfiteatër romak i shekullit të dytë që është një nga vendet të bukura në Plovdiv. Ajo u zbulua në vitin 1968 rastësisht gjatë ndërtimit të një tuneli nëpër mal. Bullgaria është një vend i mbushur me surpriza.
Ohër, Maqedoni
Maqedonia është një nga vendet më pak të vizituara në Gadishullin Ballkanik, krahasuar me fqinjët e saj më të famshëm si Kroacia dhe Mali i Zi. Nëse keni kohë për të parë vetëm një vend, le të jetë Ohri. Qyteti ndodhet pranë liqenit më të vjetër dhe më të thellë në Europë, liqenit të Ohrit.
Kanioni i Rugovës, Kosovë
Kosova është rrallë në listën e destinacioneve kryesore për të parë në Ballkan dhe kjo është e trishtuar, sepse ky vend i vogël ballkanik ka shumë për t’ju ofruar vizitorëve. Zona më e bukur e Kosovës ndodhet pranë kufirit malazez. Filloni udhëtimin tuaj në qytetin e Pejës, vetëm një orë me makinë nga kryeqyteti i Prishtinës, raporton "Monitor".