Komenti i Erion Veliajt, gjatë një interviste me Dojna Memën para dy vitesh, ku quan djemtë shqiptarë “zdromsa” ka nxehur keq internetin dhe kryesisht djemtë. Thuajse në gjithë faqet e meme-ve, po qarkullon kjo pjesë e intervistës, e cila është shoqëruar me reagime njerëzish të njohur e të panjohur, të cilët ndihen të fyer nga gjuha e përdorur.

Ndërkohë dje, moderatoren, gjatë një “Ask” të hapur në llogarinë e saj të Instagram-it, dikush e pyet: “Zdromsat? S’e di pse reaguan kaq keq shumica e çunave!”

“Se dëgjojnë çdo ditë “princi i nënës”, “kampion i babit”, “O boss i lagjes” dhe i preket sedra nga fjala “zdroms” (ordiner)- referuar një konteksti të caktuar ku po flitej për çuna që zgjohen çdo mëngjes me qëllimin e vetëm për të pirë kafe. Meqë më keni pyetur kaq shumë për një intervistë të dy viteve më parë.”– iu përgjigj Dojna.

Pjesa e komentit që tani është një nga videot më popullore në Instagram dhe sigurisht meme, është shkëputur nga biseda e Veliajt teksa Dojna e pyeste rreth gjinisë së bebushit Kajan (që asokohe s’kishte lindur ende).

“Isha aq i lumtur sa nuk e mendova fare këtë pjesën djalë, vajzë. Tipikisht, vajzat në Shqipëri janë shumë të ftilluara, çunat shqiptarë janë zdromsa komplet. E kam seriozisht! Ajo që vë re tipikisht në Ballkan, por edhe në Shqipëri është që meshkujt, ngaqë llastohen shumë kur janë të vegjël, bëhen shumë më të pazotë kur rriten. Shifini kafet e Tiranës në mëngjes, janë të mbushur plot me çuna. Varen me një karrige dhe ti thua me vete, më fal, ku u lodh që tani kur sapo është zgjuar nga gjumi. Dita s’ka filluar mirë. Vajzat janë ndryshe. Ndoshta i ka bërë jeta, ose ngaqë angazhohen me punë në familje, por vajzat shqiptare, unë e shoh në punë janë shumë më besnike, të përkushtuara dhe i bëjnë gjërat me më shumë dashuri…”– shprehet Veliaj.