Me një vendim të papritur, Kryeministri Edi Rama shkarkoi sot të gjithë prefektët e qarqeve, për t’i zëvendësuar ata me ushtarakëve të lartë që nuk janë pjesë aktive e Forcave të Armatosura.

Rama prezantoi 12 prefektët e rinj gjatë një konference për shtyp, ku deklaroi se lipset një ridimensionim tërësor i institucionit të prefektit.

Në qarkun e Durrësit, Rama emëroi ish-shefin e shtabit të Forcës Detare dhe të Distriktit detar Durrës, kolonelin e rangut të parë, Roland Nasto.

Nasto zëvendëson në këtë detyrë ish-prefektin Emiljan Jani, që u vendos në këtë post pak para zgjedhjeve të 25 qershorit, duke zëvendësuar në detyrë Rolant Xhelilaj, që u dorëhoq pasi kandidoi për deputet.

Kush është kapiten i rangut të parë, Roland Nasto

Roland Nasto ka lindur në Durrës në vitin 1956.

Ai ka mbaruar studimet në shkollën “Skëndërbej” për të vijuar më pas në Akademinë e Marinës “Hysni Kapo” në Vlorë në vitet 1977-1980.

Nasto ka punuar në bazën ushtarake të Kepit të Palit, me detyrë komandant i anijes 4 silurës.

Në regjimentin e 4 silurësve ka shërbyer edhe si komandant skuadrilje.

Në 1993 ka nisur studimet pasuniversitare në Akademia e Marinës në Stamboll, Turqi në vitet 1993-1995.

Në 1995, shef shtabi në Distriktin Detar Durrës.

Në 1996, shef operativ në Forcën Detare.

Në 1999, shef shtabi i Forcës Detare.

Në 2003-2006, komandant i distriktit të Durrësit.

Në 2006-2013, shef shtabi në Forcën Detare, ku mbante gradën kapiten i rangut të parë.

Në 2013-2016, punoi specialist në shërbimin hidrografik, në portin e Durrësit.

Ndërkohë nga 2016 e deri tani punonte pranë QND-së si specialist përgjegjës turni.