Nga Mila Ballhysa
Tashmë kur prej dy ditësh është zbardhur lista e kandidatëve për deputetë të PS-së në 12 qarqet e vendit, vëmendja e opinionit publik u përqendrua tek emrat e deputetëve që mbetën jashtë saj, renditja e emrave të kandidatëve në listë dhe mundësitë potenciale të secilit kandidat për t’u bërë deputet në legjislaturën e ardhshme parlamentare.
Menjëherë pas bërjes publike të listës, socialistëve durrsakë, por edhe simpatizantëve apo mbështetësve të partive të tjera, madje edhe atyre kundërshtare, u ra në sy fakti se si asnjëherë tjetër, lista kryesohet në 3 vendet e para nga ministre dhe deputetë aktualë që nuk kanë lidhje me Durrësin.
Deputetët që mbetën jashtë listës
Deputeti durrsak i dy mandateve rradhazi, Gentjan Bejko, mbeti jashtë listës, zgjedhje deri diku e pritshme kjo, pasi në mandatin e dytë ai ishte thuajse inekzistent në Kuvend, në ndryshim nga mandati i parë, kur ishte më i angazhuar politikisht.
Jashtë liste mbeti edhe deputetja Esmeralda Shkjau, e cila, pavarësisht se u bë pjesë e Kuvendit më vonë (zëvendësoi deputetin Ilir Beqaj, që dorëzoi mandatin, pasi u bë Minister i Shëndetësisë) u kthye në një figurë shumë të mediatizuar për kauzat sociale dhe bamirëse që mbështeste, faktin që ishte një besimtare e devotshme muslimane apo dhe sharmin që e karakterizonte në daljet publike.
E përfshirë në vendin e fundit në listën e kandidatëve të mandatit të kaluar, Shkjau arriti të bëhej deputete, pasi Partia Socialiste nuk kishte respektuar kuotën gjinore të kërkuar nga KQZ, dhe për pasojë deputetja e re mundi të parakalonte edhe figura të njohura të PS-së në qarkun bregdetar, të përfshira në listën e kandidatëve të zgjedhjeve të vitit 2013. Por eksperienca e saj parlamentare duket se zgjati pak…
Lista e kandidatëve
Ndërsa në disa prej qarqeve të vendit, listat kryesohen nga koordinatorët e PS-së në këto qarqe, në Durrës koordinator është vetë kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako, çka e përjashton atë nga listat. E në mungesë të koordinatorit, që do të kandidonte si deputet, Rama ka katapultuar në listën e Durrësit, në tre vende mjaft komode, ministret Eglantina Gjermeni dhe Milva Ekonomi, si dhe deputetin Fidel Ylli.
Në dy fushatat e mëparshme elektorale, atë të vitit 2009 dhe 2013, lista është kryesuar nga Blendi Klosi, që ka qenë i deleguari i partisë për të drejtuar fushatën në qarkun e Durrësit. Edhe në vitin 2013, PS në qarkun bregdetar nxorri 3 deputetë, të deleguar nga Rama (Blendi Klosi, Ilir Beqaj dhe Namik Dokle), por 4 vite më parë ata nuk zunë tri vendet e para në listë.
Disa muaj më parë, Partia Socialiste pretendonte që në qarkun bregdetar të nxirrte 7 deputetë, ndërkohë, tashmë, me mos pjesëmarrjen në zgjedhje të opozitës, PS synon që ky numër të jetë 10. DurrësLajm po ju njeh shkurtimisht me profesionin dhe karrierën e gjithësecilit prej tyre.
Në 10-shen që pritet të jetë deri diku e sigurt, zona e Shijakut pozicionohet mjaft mirë, pasi merr dy deputetë të sigurt, biznesmenin Ilir Ndrazhi si dhe ish-drejtorin e Hipotekës dhe pedagogun e UAMD-së Jurgis Çyrbja, përkatësisht në vend të 4-rt dhe të 6-të.
Në mes të këtyre të dyve, shfaqet i pari përfaqësues i socialistëve të Durrësit, prefekti aktual Roland Xhelilaj. Me renditjen i pesti në listë, Xhelilaj, me profesion ekonomist, figurë e njohur mes socialistëve të qytetit bregdetar, (në vitet 2003-2005 ka mbajtur postin e sekretarit të Prefekturës dhe më pas ka drejtuar grupin e këshillarëve socialistë në Këshillin Bashkiak) është i pari durrsak që pritet të jetë deputet në legjislaturën e ardhshme parlamentare, dhe pse jo i vetmi.
Deputetja aktuale, mjekja e njohur Klodiana Spahiu, është e vetmja nga deputetet aktuale të qytetit bregdetar që kandidon për një mandat tjetër. Nëse opozita nuk do të përfshihet në zgjedhje, Spahiu, anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, siguron mandatin e tretë parlamentar rresht, pasi është zgjedhur deputete në vitin 2009 dhe 2013. Spahiu pozicionohet e teta në listë, pas Rrahman Rramja, nënkryetar i bashkisë së Krujës, që renditet i shtati. Nëse opozita përfshihet në zgjedhje mandati i tretë i Spahiut vihet në dyshim dhe rrezikon të mbetet jashtë Kuvendit një figurë mjaft e respektuar në qytetin bregdetar.
Ndërsa muaj më parë, përfshirja në vendin e 9 dhe të 10 në listë, me shumë pak mundësi mund të sillte një deputet socialist në parlament, mbyllja e Lulzim Bashës në çadër dhe përjashtimi kategorik nga ana e tij e marrjes pjesë në zgjedhje, bën që deputetë të ardhshëm socialistë të mund të bëhen edhe juristi Altin Kazaj dhe drejtori i spitalit të Durrësit dhe njëkohësisht kryetari i Këshillit Bashkiak, Alban Ramohitaj. Me Ramohitajn mbyllen pak a shumë synimet e PS-së Durrës për të çuar në Kuvendin e Shqipërisë 10 deputetë.
Deputetë potencialë
Synimet e socialistëve të qarkut Durrës janë të sigurojnë me anë të votave 10 deputetë, por kjo nuk i përjashton emrat e tjerë të listës. Nëse kryeministri Rama do të ndjekë të njëjtën praktikë si 4 vite më parë, kur i kërkoi ministrave të kabinetit të tij të dorëzonin mandatin e deputetit, të tjerë kandidatë të listës së Durrësit mund të bëhen deputetë.
Kjo për faktin se lista aktuale kryesohet nga dy ministre, Eglantina Gjermeni dhe Milva Ekonomi. Nëse Rama do t’i zgjedhë sërish në kabinetin e ardhshëm qeverisës dhe do t’u kërkojë të dorëzojnë mandatet, Durrësi mund të çojë në Kuvend edhe Ledion Lakon, drejtorin rajonal të Kulturës në qarkun bregdetar dhe pedagogen dhe këshilltaren socialiste të Këshillit Bashkiak, Ana Dhamo.
Lista mbyllet me emrat e Bashkim Xhafajt, përfaqësues i socialistëve të Krujës, Alion Hyska, që për një periudhë kohe ka zëvendësuar në detyrë drejtorin e rrugëve në Durrës, dhe biznesmenin Agim Karaj, anëtar i Këshillit Bashkiak, si përfaqësues i partisë Socialiste të Moderuar. Treshja e fundit ka pak gjasa që njëri prej tyre të jetë deputet i ardhshëm, të paktën në legjislaturën 2017-2021, por fatit nuk i dihet asnjëherë…





