Deputeti i Shijakut, Jurgis Çyrbja, ka ngritur zërin sot në parlament për gjendjen e degraduar të aksit Shijak-Durrës. Në fjalën e tij, Çyrbja ka theksuar se meqë ka marrë përsipër të jetë zëri i këtij komuniteti në parlament do të angazhohet maksimalisht për rikonstruksionin e këtij aksi.

“Shqetësimi i qytetarëve të mi është shqetësimi im si i zgjedhur i tyre dhe do vazhdoj ta bëj prezent këtë shqetësim deri sa të marë zgjidhje konkrete!  Ja kam përcjellë këtë problem Ministres Balluku, e cila menjëherë u angazhua për ta inspektuar nga afër këtë rrugë dhe tani është momenti për t'i dhënë zgjidhje!”,- tha ndër të tjera Çyrbja.

Pak ditë më parë, DurrësLajm në një shkrim ku flitej për gjendjen e degraduar të kësaj rruge dhe dëshpërimin e banorëve të kësaj zone për harresën dhjetëra vjeçare të shtetit për këtë komunitet, nënvizoi faktin se shumë qytetarë të Shijakut, Xhafzotajt dhe zonave përreth kanë nisur të artikulojnë mendimin për mospjesëmarrje në zgjedhje dhe bojkotimin e politikanëve.

Prej vitesh, komuniteti i kësaj zone ka dëgjuar premtime të shumta për rikonstruksionin e rrugës, por pas marrjes së votave, premtimet janë përkthyer në heshtje dhe harresë.

Fjala e plotë e deputetit Çyrbja në parlament:

Jam sot këtu perpara jush për të shprehur një shqetësim disavjeçar të bashkëqytetarëve të mi, por jo vetëm, aksin që lidh qytetin të Durrësit me qendrën e Shijakut! 

Kushdo që jeton përreth kësaj zone, por edhe drejtues të mjeteve që u duhet të qarkullojnë në këtë rrugë, e njohin shumë mirë këtë problematikë. 
Bëhet fjalë vetëm 12 km rrugë që prej vitesh dergjet e degraduar totalisht në të gjithë gjatësinë e saj, pa vënë dorë prej më shumë se 10 vitesh.
Banorët e zonës së Njësisë Administrative Xhafzotaj dhe Rrashbull, herë pas here kanë protestuar për këtë shqetësim që jua vështirëson jetën, që u dëmtohen mjetet, por pa gjetur ende një zgjidhje konkrete. 
Jam zotuar përpara banorëve që do jem zëri i tyre dhe prandaj jam angazhuar maksimalisht për rikonstruksionin e këtij aksi, që ka ndikim të drejtëpërdrejtë dhe te qindrq biznese të kësaj zone. 
Gjej rastin t'i bëj thirrje Ministrisë së Infrastrukturës që të ketë vëmendje ndaj këtij shqetësimi të mijëra banorëve që jetojnë e punojnë në Rrashbull, Xhafzotaj, Shijak dhe me gjerë! 
Shqetësimi i qytetarëve të mi është shqetësimi im si i zgjedhur i tyre dhe do vazhdoj ta bëj prezent këtë shqetësim deri sa të marë zgjidhje konkrete! 
Ja kam përcjellë këtë problem Ministres Balluku, e cila menjëherë u angazhua për ta inspektuar nga afër këtë rrugë dhe tani është momenti për t'i dhënë zgjidhje! 
Ju faleminderit!