Kupa e Shqipërisë është objektivi madhor i "Djemve të detit" dhe pas fitores bindëse me Kamzën ata do të përballen me Skënderbeun në turin tjetër. Mesfushori i krahut, Arbër Çyrbja, mendon se durrsakët i kanë të gjitha shanset për ta marrë trofeun:

"Kupa është një kompeticion tjetër dhe futemi në fushë me mendjen vetëm te ky trofe. Qëllimi jonë është që në sezonin tjetër të luajmë në Europë dhe për ta bërë këtë, duhet të fitojmë Kupën. Treguam që jemi një ekip i forte dhe arritëm fitore bindëse që i shërben kualifikimit por edhe moralit si skuadër. Tashmë kemi përballje të fortë me Skënderbeun por jam i bindur që do ta kalojmë."

Në lidhje me vlerësimet e marra nga Partizani ai shprehet:

"Realisht të vjen mirë kur dëgjon që një klub tjetër të vlerëson publikisht për ata që ti ke bërë për ekipin tënd. Detyra ime është të vazhdoj të punoj fort dhe të jap maksimumin për të ndihmuar Teutën. Largimi në janar? Të them të drejtën, këtë pjesë nuk e kam menduar. Unë jam totalisht i fokusuar te Teuta dhe do të jap maksimumin për këtë fanellë. E rëndësishme për mua është që skuadra të ketë rezultate pozitive, këto gjëra i dinë më mirë drejtuesit."

Problem për Çyrben mbetet mbrojtja për ndeshjet në vazhdim:

"Mbrojtja është problemi më i madh që ne kemi dhe duhet ta rregullojmë me patjetër sepse jemi ende në kohë. Trajneri ka punuar shumë gjatë kësaj periudhe me këtë repart për gabimet që janë bërë. Mendoj se eksperienca dhe pasiguria janë dy elementët kryesorë që pësojmë kaq shumë. Duhet të kemi më tepër besim te vetja dhe shoku i skuadrës", ka deklaruar Çyrbja.