Teuta e Enkeled Dobit është duke zhvilluar përgatitjet në Ohër me intensitet të plotë. Grupi po plotësohet nga dita në ditë. I fundit afrim është ai i Tolit, që është vënë tashmë nën urdhrat e trajnerit. Ndërkohë se si e sheh Teutën e sezonit të ri, është prononcuar Arbër Çyrbja.
Si ndihet Çyrbja për momentin e mirë që po kalon?
Ndihem shumë i lumtur dhe mendoj se kam ardhur në formën e duhur. Do të jap maksimumin nga vetja për të ndihmuar ekipin të realizojë objektivat e sezonit të ti.
Keni luajtur disa miqësore dhe të fundit e mbyllët me një barazim. Mendoni se jeni në ritëm?
Rezultati ka pak rëndësi në këto ndeshje miqësore. Janë ndeshje të cilat na mundësojnë të përmirësojmë kondicionin fizik, por edhe na shërbejnë për të punuar, mbi të gjitha në aspektin tekniko – taktik dhe sidomos në harmonizimin e grupit si skuadër.
Çfarë objektivi ka Teuta këtë sezon?
Ne do të konsiderojmë çdo ndeshje si finale. Teuta çdo vit futet me pretendime të mëdha në garë. Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, sepse diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Ndërkohë, mendoj se kemi bërë përforcimet e duhura ku kishte nevojë skuadra. Nuk kemi një fryrje, janë përforcime të mirëmenduara. Kështu do ta kemi rrugën e hapur drejt sukseseve të mëdha.
Kampionati po afron dhe garën e nisni me Dinamon, duel i kalueshëm?
E rëndësishme është të jemi në formë deri më 23 gusht. Kam besim se do të jetë një sfidë e bukur dhe e dyluftuar. Teuta në këtë takim do të hyjë në fushë me një qëllim të qartë, marrjen e tre pikëve për ta nisur mbarë. Duke ditur se këtë sezon kemi objektiv kreun, ndaj nesh çdo ekip do të angazhohet për të marrë pikët. Por ne duhet të mbetemi me këmbë në tokë, derisa të arrijmë qëllimin tonë.





