Mesfushori i Teutës, Arbër Çyrbja, shprehet pro nisjes së kampionatit në Shqipëri, pasi vendi ynë dukët se po i kalon problemet e mëdha për sa i përket përballimit të pandemisë së koronavirusit.

Ai gjithashtu thekson se të gjithë lojtarët gëzojnë shëndet të plotë dhe janë gati për rifillimin e punës. Çyrbja thekson se për mendimin e tij zgjidhja më e mirë do të ishte të luhej dhe verdiktet të vendoseshin në fushë, pse jo, edhe në verë, pasi kushtet janë shumë të mira.

Arbër, si duket gjendja e lojtarëve të Teutës?

Jemi mirë dhe gëzojmë shëndet të plotë. Stafi na ka vendosur një program individual dhe ne po e zbatojmë të gjithë. Po bëhen afro dy muaj që nuk luhet futboll.

Çfarë duhet të ndodhë tashmë me sezonin?

Është shumë e vështirë, duhet t’i bëjmë hapat një e nga një. Vlen më shumë shëndeti i lojtarëve, nuk kemi të bëjmë më me lojë, rrezikojmë çdo gjë. Mendoj se të gjitha ekipet janë të dëmtuara. Ndeshjet do të jenë të ngjeshura dhe ato skuadra që kanë stol të fortë do të kenë sukses. Për mendimin tim, zgjidhja më e mirë do të ishte të luhej në fushë.

Nëse zgjat situata, sa e vështirë do të jetë për ju si lojtarë?

Në Shqipëri duhet të kemi shumë kujdes te ndeshjet kur të fillojnë, sepse është në dorë jeta e futbollistëve. Jam pro ndeshjeve, por duke parë edhe situatën që është drejt normalizimit, mendoj që kampionati të vijojë. Është disi e vështirë për ne si lojtarë, por me një përgatitje 2-3-javore besoj se do të jemi në ritëm.

Si është të stërvitesh në shtëpi?

Është mjaft e vështirë, gjithmonë po bëj kujdes te plani stërvitor. Stafi teknik na kontrollon dhe komunikojmë në grupe të hapura në rrjetet sociale, por është shumë e vështirë. Kur mungon gara, mungon stërvitja, si dhe mungon puna në grup.

Sezoni mund të vazhdojë deri në verë?

Infrastruktura te ne është e mirë. Në darkë kushtet janë të mira për t’u luajtur ndeshjet në verë. Nuk do të bëhen në orarin e pikut të temperaturave. Por, 3 ndeshje brenda javës janë tepër për një ekip. Nuk kemi çfarë të bëjmë, do ta përballojmë deri në fund ketë sezon.

Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon?

Unë mendoj se po dhamë 100%, Teuta mund të shkojë shumë larg. Në situata të ndryshme, nuk kemi qenë në maksimum. Por, nëse ruajmë formën aktuale, mund t’i përsëritim rezultatet e dy fazave të para.