Teksa këto dy ditë do të zhvillohet seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, ku për votim pritet të kalojë edhe drafti i dakordësuar mes PS-së dhe PD-së për Reformën Zgjedhore, deputeti i qarkut të Durrësit Jurgis Çyrbja ka komentuar qëndrimin e tij.

Në hyrje para Kuvendit, ai u ndal para gazetarëve për të shprehur propozimin e tij lidhur me listat e hapura.

“E dëgjuat dhe dje në Komision, nuk jam për listat e mbyllura, jam për listat e hapura.

Dhe ishte një sfidë në Komision për të gjithë ata persona që kanë qenë tek tryeza e Reformës Zgjedhore.

Do ta bëj si propozim sot që këta persona të jenë tek listat e hapura dhe jam shumë dakord me këtë sistem”, u shpreh deputeti Çyrbja.

Deputeti i Durrësit sfidoi një ditë më parë hartuesit e draftit të Reformës Zgjedhore, nëse janë të gatshëm për të qenë ata pjesë e listave të hapura.