Teuta ka vijuar stërvitjen pas 4 ditëve pushim, duke vijuar kështu përgatitjet në qytetin bregdetar. Një nga futbollistët kyç të skuadrës, mesfushori, Arbër Çyrbja, ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të durrsakëve, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.
Arbër, si shkoi faza përgatitore dhe si e vlerësoni gjendjen e skuadrës deri tani?
Mund të them me bindje të plotë se faza përgatitore e zhvilluar deri më 30 korrik në Bullgari, shkoi mjaft mirë. Kemi punuar në kushte mjaft komode dhe me dy seanca në ditë. Kemi marrë ngarkesën e plotë dhe natyrisht që kushtet ndikojnë në këtë drejtim. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.
Keni bërë paraqitje të mira në aspektin personal në këtë fazë, si ndiheni?
Unë edhe vitet e tjera kam pasur minutazh dhe formë stabël, por në këtë sezon së bashku me klubin kemi pasur ngritje të formës. Synimet e mija janë të bëjë paraqitje sa më të mira dhe ta ndihmoj skuadrën si në sezonin e kaluar me disa ndeshje vendimtare, por edhe më shumë këtë sezon që ti arrijmë objektivat tona.
Si ju duket kjo Teutë, krahasuar me atë të një sezoni më parë?
Jemi një ekip i formatuar nga e para, ndonëse në skuadër ka ende lojtarë që e njohim njeri-tjetrin. Ajo që shoh deri tani është se afrimet janë të mira dhe të bëjnë të shpresosh. E megjithatë, më e rëndësishmja është që ata kanë kapur formën më të mirë fizike dhe janë përshtatur me grupin. Mendoj se shumë shpejt gjërat do të shkojnë në vendin e vet.
Kampionati pritet që të nisë pas më pak se 3 javësh, a është gati Teuta?
Kemi edhe disa ditë në dispozicion dhe duhet që t’i shfrytëzojmë mirë deri në startin e sezonit. Siç e thashë, lojtarët deri tani janë në formën më të mirë të tyre dhe besoj se 19 gushti do të na gjejë gati.
Edhe sezonin që u mbyll pretenduat Kupat e Europës, por në fund mbijetuat me shumë vuajtje…
Do t’i shohim gjëra me radhë, pasi siç e thashë edhe më lart, jemi një ekip i ndërtuar thuajse nga e para dhe nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’i hedhim hapat me radhë e të sigurt. E megjithatë, unë besoj se ky vit do të jetë tërësisht ndryshe për Teutën. Do të bëjmë progres.