“Besim dhe angazhim”. Këto janë dy fjalët “magjike” që kërkon mesfushori i Teutës, Arbër Çyrbja, për ndeshjen e radhës. Durrsakët të shtunën do të presin në shtëpi Laçin. Kundërshtari duhet vlerësuar shumë, si dhe duhet pasur kujdes, pasi një hap fals e afron Teutën me Laçin dhe Flamurtarin, skuadra këto të përfshira në luftën për mbijetesë. Çyrbja kërkon që ekipi të angazhohet dhe të japë maksimumin në stërvitje dhe të jenë gati për ndeshjen.

“Zyrtarisht kemi hyrë në javën stërvitore për Laçin, ndonëse kemi kaq ditë që stërvitemi. Gjithsesi, ne po përgatitemi shumë që të jemi të gatshëm për këtë fundjavë. E vlerësojmë kundërshtarin dhe nuk duhet të gabojmë, pasi një hap fals do t’u jepte mundësi si Laçit, ashtu dhe Flamurtarit që të afroheshin. Skuadra po stërvitet siç duhet dhe, nëse do të kemi angazhim maksimal nga të gjithë, atëherë duhet të presim një rezultat pozitiv.Teuta e vlerëson Laçin, por së pari respekton veten, duke u stërvitur mirë. Nëse do të japim maksimumin, atëherë respektojmë drejtuesit, nderojmë trajnerin, si dhe i japim hakun vetes. Njëkohësisht u japim kënaqësi edhe tifozëve, të cilët na ndjekin nga ndeshja në ndeshje.

Trajneri Magani po punon shumë këto ditë me ekipin me ushtrime të ndryshme, si dhe po marrim edhe ngarkesën e duhur fizike.Pothuajse çdo ditë kryejmë nga dy seanca stërvitore. Kam besim se ekipi do të zhvillojë ndeshje cilësore, por mbi të gjitha do të marrë rezultat ndaj Laçit. Pikët janë më të rëndësishme në këtë moment ku ndodhemi. Nuk bëj premtime, por siguroj që do të luajmë të gjithë si finale këtë ndeshje dhe të tjerat një e nga një”, u shpreh mesfushori Arbër Çyrbja.