Nga Nebil Çika
“Ky nuk është Rama, po drama jonë ! “.
5 SHKURT 2015 – Ky ishte reagimi i dëshpëruar i një mikut tim nga zonat e përmbytura në Vlorë kur i telefonova për t'i dhëne kurajë e për ta pyetur në këto ditë të vështira për të dhe familjen e tij që luftojnë me ujërat për te mbrojtur jetën dhe pronën vetëm me ndihmën e Zotit.
Miku im është apo me mire te themi ishte, një socialist i thekur ( nuk e besoj të mos ketë ndryshuar mendim pas asaj qe i ka ndodhur) dhe një nga me entuziastët për Rilindjen dhe programin e saje para zgjedhjeve te 2013. Nuk ka asnjë ambicie për karrierë politike apo pune ne administrate.
Ekonomikisht, të paktën deri tani ka qenë mire falë biznesit te tij një ferme shume te suksesshme në zonën e “Topalltisë “, kështu e quajnë banorët vendas pjesën vlonjate të Myzeqesë ne luginën e lumit Vjosë, pikërisht atë zone qe eshtre përmbytura këto ditë. Edhe pse pa interesa direkt ne politikë, e kishte shume qejf atë, sidomos diskutimet rreth saj si shumica e fshatarëve.
Sa herë takohemi, një pjesë e mirë e bisedës vërtitet rreth politikës, ku ai mbron me fanatizëm Rilindjen dhe Ramën e tij apo të atyre siç e quante ai kryeministrin Edi Rama.
Me thënë të drejtën, edhe nga që na ka ardhur ne majë te hundës nga bisedat politike, edhe për shkak të profesionit këtu në Tiranë, i hapja rrugë gjithnjë dhe debatet tona politike i fitonte gjithnjë ai .
I pari që “fitova” unë, ishte ku ky i djeshmi në tel, pasi miku im u dorëzua që në fjalinë e parë : “Ai s’është Rama, po drama jonë ! “ .
Është debati politik qe kam fituar më lehtë por nuk do ta kish dashur kurrë një gjë të tillë duke pasur parasysh atë kosto e dem qe e çoi mikun tim “socialist” brenda një nate në një ndryshim kaq radikal të mendimit te tij politik për Ramën dhe Rilindjen e tij qe ia ka votuar me kuç e me maç.
Sigurisht që miku im nuk është i vetmi i zhgënjyer me Ramën dhe Rilindjen dhe përmbytja është vetëm një nga shkaqet e tij. Para disa ditësh po në Vlorë ne një proteste kundër prishjes se qindra banesave nga qeveria vëmendjen me shume se kushdo e tërhoqi një nga palluat e protestuesve me tekstin me domethënës: Të dhje… Rilindjen !” .
E pra edhe një tjetër reagim i dëshpëruar ndaj qeverisë dhe politikes se saj, pikërisht nga Vlora, zona elektorale e kryeministrit Edi Rama dhe origjina e shumë prej ministrave të qeverisë !
Përmbytja është ne fakt “mbushja e kupës” por zullumi i qeverisë ne Vlore dhe ne gjithë Shqipërinë ka kohe që ka nisur. Në fakt, miku im ka të drejtë kur thotë që ”Rama është drama jonë”, me te cilën nënkupton, se ata që e kanë votuar e që për ironi të fatit përbëjnë pjesën dërmuese të 1 milionë votave apo “shuplakave” që Rama thotë se i mori në 2013, vijnë pikërisht nga kjo zonë që këto ditë po lufton me ujin e braktisur pikërisht nga ata që votuan pasivisht.
Fieri, Vlora, Berati, Tepelena,Gjirokastra e Përmeti i kanë dhëne qeverisë më shumë se 500 mijë nga një milionë vota të pretenduara nga Edi Rama.
Pikërisht ky fakt përbën edhe thelbin e reagimit te dëshpëruar të mikut tim dhe mijërave te tjerëve te përmbytur e te lënë në mëshire te fatit nga qeveria. Nuk besoj se banoret e zonave te përmbytur e kane informacionin e plotë te përgjegjësisë se qeverisë për ketë përmbytje . Ata mjaftohen me mungese e ndihmës emergjente dhe mos pranisë fizike te Ramës dhe atyre qe i kane votuar në ketë moment te vështire të jetës se tyre, i mjaftueshëm për te mbërritur në konkluzione e reagime te dëshpëruara.
Por nëse ata do të kishin informacione për fondet e bujqësisë, veçanërisht të drenazhimeve e kullimit, të shkurtuara disa herë nga qeveria në buxhetin e vitit 2014, zemërimi do të kishte qenë më i madh.
Sikur ata të llogarisnin dot se ajane shqezuar për prishjet e ndërtimeve me dhe pa leje ne Vlore dhe gjithë Shqipërinë do të shikonin se ato mjaftojnë disa herë për të hapur e pastruar kanalet e ngritur, argjinaturat e lumenjve duke shmangur me siguri përmbytjen!
Pyeteni qeverinë se sa tuba, zhavorr e beton kushton një nga mijëra palmat që po mbjell për zbukurim apo ndonjë gjë tjetër për të kuptuar pse jeni përmbytur. Duket qartë që kjo qeveri ka qenë jo e kufizuar, por fare e painteresuar për këto zona, veçanërisht për ata fshatarë që gjithnjë i ka konsideruar si turmë, militantë politikë e elektoral fanatik të saj që nuk kanë ku të shkojnë !
Pse nuk shkon Edi Rama në fshatrat e përmbytur ne Zonën e tij elektorale në Vlorë apo edhe në bastionet e tij politike në Fier ?! Po Koçon, ministrat dhe deputetët e tjerë ku i ka ?! Jam i bindur se si miku im edhe të përmbyturit e tjerë i kanë bërë vetes këtë pyetje që kanë mbërritur ne atë përfundim !
A është Rama një drame për ata që e kanë votuar ?! Besoj se po ! Madje edhe për ne te tjerët që nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Të gjithë një- soj e vuajmë dramën Rama, por e përjetojmë me një ndryshim thelbësor. Ata nuk e votuan e përjetojnë këtë qeveri pak me lehtë, si fatkeqësi, pushtim apo vrasje, ndërkohë ata që e kane votuar e përjetojnë më rëndë si një gjë që ia bënë vetvetes si vetëvrasje apo harakiri, diçka të tillë ! Mos e merrni lehtë është një ndryshim i madh dhe thelbësor. Nuk i akuzoj votuesit e dëshpëruar të Edi Ramës për faktin qe morën në qafë veten e tyre dhe ne për shkak të një bindjeje qorre ! Armiku më i madh i të vërtetës është bindja, por edhe kjo nuk mund të jetë një ndjesi e përjetshme.
Me reagimin që bëri miku im “socialist” duket se e ka ndryshuar bindjen , shpresoj shumë ta kenë bërë edhe shume viktima te tjerë te (D)RAMËS . “Mendjen e parë te shqiptarit ma paste kali , mendjen e dyte e paça vetë”- ka thënë Faik Konica , një nga më të mençurit e racës sonë !





