Klejdi Daci, shënuesi më i mirë i Teutës, beson se Teuta do të bëjë mirë në këto 3 javë të fundit, duke nisur nga Egnatia. Ai e vlerëson këtë kundërshtar për kualitetin që ka dhe për faktin që jo rastësisht po dominon kampionatin, por sërish e sheh me optimist për fitoren që do të ishte e dyta radhazi. Daci thekson se Teuta është gati për mbylljen perfektë të sezonit.
Daci, si do ta komentonit trepikëshin kundër Kukësit, duke parë situatën ku ishit?
Jemi të kënaqur me paraqitjen që kemi bërë si skuadër në ndeshjen kundër Kukësit. Kemi marrë pikët që na nevojiteshin dhe kemi luajtur mirë. Teuta kishte gjithçka nën kontroll dhe arritëm të fitonim, çka na jep shpresë për të ecur me këtë ritëm këto javë të fundit të kampionatit.
Çfarë sfide prisni të shtunën me Egnatian në Durrës?
Është një moment i sezonit, kur të gjitha skuadrat janë të motivuara për të bërë aq sa munden për objektivat e tyre. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, kundër një skuadre mjaft të përgatitur dhe që është me meritë në krye. Po e përgatisim mjaft mirë këtë sfidë dhe do të synojmë maksimumin.
Shënuat golin e 9-të në këtë kampionat dhe jeni shënuesi më i mirë i Teutës…?
Jam shumë i lumtur që shënova. Po mundohem gjithmonë të tregoj vlerat e mia. Ne të gjithë besojmë te forcat tona, pasi kemi një ekip të kompletuar. I kemi të gjitha mundësitë par t’i bërë ballë çdo ekipi, ndërsa unë shpresoj të shënoj të tjerë gola të rëndësishëm për Teutën.
Në këto javë të fundit ka edhe shumë presion, që këtë herë ndoshta është te kundërshtari. Ju favorizon ky fakt?
Presioni është si te ne, ashtu edhe tek Egantia, për vetë pozicionet në klasifikim. Ne jemi në vend të 7-të dhe na duhen pikë. Ndeshja do të jetë e luftuar, sepse të dy ekipet do të luajnë për fitore. Me besimin që kemi them se do ta kurorëzojmë me sukses edhe këtë ndeshje, për t’u ngjitur në renditje. Mos ndoshta ka eufori në ekip pas fitores në Kukës? Mendoj që ne të gjithë jemi me “këmbë në tokë”. E kemi diskutuar këtë gjë gjithë kohës, sepse e dimë që kampionati është drejt fundit. Nuk kemi fituar asgjë, llogaritë bëhen pas javës së 36-të. Le t’i marrim ndeshjet me radhë, duke dhënë 100%.