Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, është shprehur i sigurt se Kosova nuk do të pranohet në INTERPOL.

Në 10-vjetorin e themelimit të Partisë Progresiste Serbe, Daçiç tha se një numër në rritje i shteteve kanë kuptuar se tashmë anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, nuk është vetëm një çështje e Serbisë, por e integritetit territorial të saj.

"Ajo (Kosova) po jep miliona për të hyrë, por ne nuk do të heqim dorë nga interesat e Serbisë, pavarësisht integrimit apo jo në BE. Ka të bëjë me mbrojtjen e interesave kombëtare, popullit serb, të mbrojtjes së të drejtave të serbëve në Kosovë, si edhe mbijetesës së Republikës Serbe", tha ai, raporton Blic.

Daçiç u shpreh se Serbia është një shtet plotësisht i pavarur, i cili në radhë të parë merr parasysh interesat e tij kombëtare dhe shtetërore dhe se kjo është përparësia e politikës së tyre të jashtme.

Ndërsa presidenti Aleksander Vuçiç thekoi se nuk ka asnjë njeri që mund të ushtrojë presion mbi Serbinë për të hequr dorë nga interesat vitale kombëtare.

"Për ata që mendojnë se mund të shtypin fuqinë serbe për t'i marrë gjithçka dhe për t'ia dhënë të tjerëve, po ju them që mos e ëndërroni. Sepse nuk nuk do të ndodhë kurrë", tha Vuçiç.