Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi për mediat serbe se Kosova nuk do të mund të mbijetojë si shtet, e për këtë arsye do të bashkohet më Shqipërinë. Sipas agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, Daçiç u shpreh se Serbia dëshiron që të arrijë kompromis me Kosovën, por kjo sipas tij nuk do të mund të përdorej si kusht për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.
Gjatë konferencës “Trajnimi i liderëve politikë”, Daçiç tha se dialogu me Prishtinën po zhvillohet për të arritur marrëveshje, pasi ato nuk mund të jenë të njëanshme, ku njëra palë merr gjithçka dhe tjetra asgjë.
Ai theksoi se askush nuk mund të krijojë një shtet pa një marrëveshje të mëparshme dhe se Kosova nuk do të mbijetojë si shtet, por do të bashkohet me Shqipërinë.
Ministri i Jashtëm serb shtoi se një situatë si ajo mes Serbisë dhe Kosovës mund t’i ndodhë çdo shteti dhe kjo është një arsye që të krijohen parime, të cilat do të duhej të respektoheshin nga të gjithë.