SERBI, 07 mars 2013 – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se serbët janë gënjyer për shumë kohë me pohimet se Kosova është serbe, prandaj është koha që Serbia përfundimisht të përcaktojë kufijtë e saj real.
Në një shkrim që mban autorwsinë e tij, të botuar në gazetën beogradase NIN, ai tërheq vërejtjen se “për dhjetë vjet me radhë, çështja e Kosovës ishte tabu. Askush nuk ka mundur që zyrtarisht të thotë të vërtetën. Janë treguar përralla dhe gënjeshtra që Kosova është e jona. Ky qëndrim nuk ndihmon aspak. Presidenti i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë, as kryeministri dhe as ndonjë ministër. Aq më pak policia dhe ushtria serbe”, ka thënë ai.
Ai tërheq vëmendjen se Serbinë e pret një punë e pa kryer që ka të bëjë me caktimin e hapësirave të veta dhe ngritjen e kufijve real shtetëror.
Beogradi, thotë ai, “duhet të shtojë përpjekjet që të ruajë atë që është e mundshme nga Kosova dhe t’i mundësohet komunitetit serb një jetë normale dhe një e ardhme më e qartë. Në këtë mënyrë, do të ketë të ardhme edhe për vetë Serbinë”, ka thënë kryeministri serb në një paraqitje që nga vëzhguesit shihet si një kthesë e madhe në qasjen e qeverisë serbe ndaj çështjes së Kosovës, në funksion të integrimeve evropiane.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është angazhuar në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, meqë ky është kusht që asaj t’i caktohet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.