Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, thotë se BE-ja, SHBA dhe Britania e Madhe do të jenë përgjegjëset kryesore për pasojat nëse nuk reagojnë ndaj deklaratave të politikanëve shqiptarë.
Ai këtë e ka thënë pas deklaratave të fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama, presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe kryetarit të Bujanocit Jonuz Musliu për bashkimin e Shqipërisë, Kosovës dhe tri komunave shqiptare në jug të Serbisë.
Duke reaguar për fjalët e kryetarit të komunës së Bujanocit, Jonuz Musliu tha se bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës “është i pakuptimtë pa Luginën e Preshevës”, Daçiç ka thënë se politikanët shqiptarë po bëhen “kërcënimi kryesor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe Evropë”, transmeton “lajmi.net”.
“Deklaratat e koordinuara të Ramës, Thaçit dhe Musliut tregojnë se Shqipëria e Madhe është qëllim i të gjithë shqiptarëve. Sot, Musliu me këtë i është afruar edhe Nishit, nesër edhe Shkupit, Ulqinit, Epirit. A do të flasin për këtë BE-ja, SHBA dhe Britania e Madhe? Nëse nuk e bëjnë edhe kësaj here, kur Shqipëria e Madhe ka arritur deri te Nishi, do të jenë përgjegjës të drejtpërdrejtë për pasojat”, ka thënë Daçiç.
Ai më tej ka kërcënuar duke thënë se “shqiptarët duhet mirë t’i masin fjalët e tyre dhe t’i zgjedhin ato, sepse më në skenën ndërkombëtare nuk janë mbrojtësit e tyre të cilët kanë bombarduar Serbinë që t’ia marrin Kosovën”.
“Kjo më kurrë nuk do të përsëritet. Serbia askënd nuk po e provokon, por askujt nuk i frikësohet. Për fat të mirë, e gjithë kjo është vetëm një ëndërr e bukur”, ka thënë Daçiç.