Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka thënë se nuk ka karotë europiane nga BE për të cilën Serbia me vetë dëshirë do të hiqte dorë nga Kosova.
"Është pafytyrësi që qarqe në Bruksel të presin nga ne harakiri historik, ndërsa ata vetë brenda BE-së nuk kanë qëndrim unik kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës", ka thënë Daçiç, transmeton Koha.net.
Duke folur për vazhdimin e sotëm të dialogut të Beogradit e Prishtinës, Daçiç ka thënë për "Veçernje novosti" se pala serbe nuk pranon asnjë korrigjim të marrëveshjes për AKS-në.
"Nëse BE pajtohet për diçka të tillë, e besoj se nuk do të pajtohet, atëherë bie poshtë i tërë dialogu dhe për ne aty nuk do të ketë më vend", ka theksuar ai.
Daçiç ka theksuar se deri te zgjidhja duhet arritur me kompromis e jo me imponimin e qëndrimit të Serbisë se ajo duhet ta njohë Kosovën.
"Do t’i pyesja të gjithë në BE, si është e mundur që vetëm kufijtë e Serbisë u ndryshuan e të tjerët mbeten si kanë qenë – gurë. Së pari e ndanë Kosovën nga Serbia e tash thonë se këtu nuk ka çfarë të flitet më. Ka, si nuk ka. Nëse ka përfunduar rrëfimi, pse po na ftojnë në dialog?", ka pyetur Daçiç.