Miriam Zaouen, një ish-punonjëse çerdheje në Lion, Francë, është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e një foshnjeje 11-muajshe, Lisa, duke i dhënë asaj një laksativ. Gjykata Penale e Rhône e shpalli fajtore për “torturë ose akte barbare që çuan në vdekjen e viktimës, pa synimin për ta provokuar atë.”
Zaouen, 30 vjeçe, kishte dhënë vajzës së vogël lëng gërryes, duke shkaktuar vdekjen e saj. Ajo e pranoi veprimin, por mohoi se kishte dashur të vrasë fëmijën. Gjatë procesit gjyqësor, ajo dha disa versione të ndryshme të ngjarjes, por më pas tregoi se, pasi kishte qëndruar vetëm tetë minuta me foshnjën, i kishte derdhur lëngun në gojën e saj për shkak të padurueshmërisë ndaj qarjes së fëmijës.
Gjykata e cilësoi veprimin si një akt barbar, por nuk e pranoi akuzën për vrasje me dashje, për të cilën ishte kërkuar dënimi me 30 vjet burg. Juria vendosi që Zaouen të dënohej me 25 vjet burg për mungesë provash që tregojnë se ajo kishte pasur qëllim të vrasë fëmijën.
Avokatja e saj, Julia Kopar, theksoi se Zaouen kishte arritur kufirin e qëndrueshmërisë, por kjo nuk mund ta justifikonte aktin tragjik. Çështja ka tronditur opinionin publik në Francë, duke ngritur pyetje mbi stresin dhe presionin që vjen nga puna me fëmijët dhe mundësinë e abuzimit me të miturit.