Teknologjia e lartë ka tradhtuar një 44- vjeçare që kishte vjedhur një pajisje elektronike në shtëpinë e pronarit ku punonte si dado. Luljeta L. ka vjedhur një tablet në banesën e shtetasit F. P. Ajo nuk e ka ditur se pajisja kishte qenë e sinkronizuar me kompjuterin personal të të zotit. Ka qenë pikërisht ky shkaku që 44-vjeçarja ka dalë “zbuluar” në atë çka kishte bërë. Disa ditë pasi kishte marrë pajisjen, ajo e ka përdorur atë, duke i shkrepur foto vetes dhe vajzës së saj. Në mënyrë automatike, të paraprogramuar, fotot kanë mbërritur në memorien e kompjuterit personal të F. P.

Ky i fundit ka qenë duke punuar në kompjuter, kur aty i janë shkarkuar 6-7 foto. Në to ai ka njohur Luljeta L., e cila kishte shërbyer më parë në banesën e tij si kujdestare e vajzës së tij të vogël.

Pas këtij momenti, ai ka bërë një kallëzim në polici për vjedhjen e një tableti, një aparati iPhone S4 dhe disa sende të tjera me vlerë dhe se dyshonte se autorja ishte dadoja e fëmijës së tij.

Pas një kontrolli policor në banesë, Luljeta L. ka pranuar vjedhjen e tabletit. Dadoja është dërguar si e pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “vjedhjes”.

Me gjithë pendimin e saj të thellë për veprën e kryer pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi ta shpallë fajtore dhe e dënoi me 3 muaj heqje lirie. Ajo përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. /panorama/