1nentor 2015 – “Daily Mail” lëshon bomben e radhës duke hedhur hije të mëdha dyshimi mbi Botërorin 2006 që u zhvillua në Gjermani. Sipas tabloidit britanik, figura kyçe e organizimit të eventit, Franz Beckenbauer ka një rol të rëndësishëm në një transferim bankar që është bërë në Maltë vetëm pak javë përpara votimit të kandidaturës së Gjermanisë si vend organizator për Kupën e Botës. Sipas hetimit të tabloidit, ikona e futbollit gjerman ka influencuar në votat e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në vitin 2000. Në atë kohë ai ka pasur detyrën e presidentit të Bayern Munchen, ndërsa më pas u emërua kreu i komitetit organizator të Botërorit 2006. “Mail on Sunday”, zbulon një dokument sekret ku Federatës Malteze i dorëzohen 250 mijë Dollarë pasi kreu i këtij institucioni votoi kandidatutën e Gjermanisë pak javë më vonë.
Ky dokument publikohet pak javë pasi e përditshmja “Der Spiegel” akuzoi organizatorët se kishin paguar 6.7 milionë Euro për të blerë vota. Sipas presidentit aktual të Federatës Malteze, Norman Darmanin Demajo, Beckenbauer u angazhua personalisht që në vitin 2000 Bayerni i Mynihut të zhvillonte një ndeshje miqësore në Maltë. Në raundin final të votimit për vendin organizator, Gjermania fitoi me vetëm një votë më shumë në betejën finale me klandidaturën e Afrikës së Jugut që gjithsesi arriti të shpallej vendi organizator i Botërorit 2010. Takimi sekret mes kreut të Federatës Malteze, Mifsud dhe Beckenbauerit mendohet se u zhvillua në rezidencën private të këtij të fundit. Ndërkohë, zyrtarët e Komitetit Etik të FIFA-s kanë konfirmuar nisjen e një hetimi ndaj Beckenbauer por jo për këtë çështje. Sipas institucionit të lartë të FIFA-s, zyrtari gjerman nuk ka pranuar të bashkëpunojë në hetimet që po zhvillohen për caktimin e Rusisë dhe Katarit si vende organizatore të dy botërorëve të ardhshëm. Ndërkohë, zyra e Beckenbauer nuk ka lëshuar ende asnjë deklaratë për hijet e dyshimit që lidhen me Federatën Malteze.
/portali DurresLajm/