Laburistët në Britaninë e Madhe po përgatisin një plan për dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar drejt vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, ku do të vendosen në qendra të posaçme paraburgimi. Sipas Daily Mail, ky plan ka marrë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe shihet si një mënyrë për të frenuar fluksin e migrantëve që mbërrijnë përmes Kanalit të La Manshit.

Muajin e kaluar, Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper zhvilloi bisedime me kreun e UNHCR-së mbi mundësinë e ngritjes së “qendrave të kthimit” në Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas propozimeve, qeveria britanike do t’u paguajë këtyre vendeve për të pranuar migrantët që kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore për azil në Britani.

Plani është pjesë e strategjisë së liderit laburist Keir Starmer për të rikthyer kontrollin mbi sistemin e emigracionit, pas një rritjeje me 81% të mbërritjeve ilegale këtë vit krahasuar me 2023.

Burime qeveritare kanë thënë për The Times se mbështetja e OKB-së konsiderohet vendimtare, pasi më herët kjo agjenci kundërshtoi hapur planin e ngjashëm të konservatorëve me Ruandën, i cili u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Lartë.

UNHCR është angazhuar që të ndihmojë në hartimin e këtyre qendrave, por ka paralajmëruar se ato duhet të përmbushin standardet ligjore dhe të respektojnë të drejtat e njeriut. Shqipëria, ndërkohë, ka aktualisht dy qendra paraburgimi për migrantët, të cilat mbeten bosh pasi nuk u përdorën nga Italia, siç ishte parashikuar më herët.

Përtej Britanisë, edhe Holanda është në bisedime me Ugandën për ngritjen e një qendre të ngjashme.