“Daily Mail” i ka dedikuar një artikull mënyrës se si i mbajnë arinjtë në Shqipëri. Duke marrë shkas nga Tomi, një ari që ndodhet në kafaz në një prej restoranteve në veri të Shqipërisë, gazeta shkruan: “I vetëdijshëm për bujarinë e kalimtarëve që i zgjasin ushqime, ai shfaq një figurë të vetmuar dhe të dëshpëruar. Turmat mblidhen për të parë Tomin, ariun e murrmë, në “shtëpinë e tij” – një kafaz pranë një restoranti në malet e bukura 40 milje larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë”.

Ariu mbahet i mbyllur 24 orë dhe është aq i dëshpëruar sa që kafshon veten.

Teksa pronari fajëson “mërzinë” për sjelljen e tij shqetësuese dhe shton se nuk asnjë problem pse ai qëndron i izoluar aq gjatë, eksperti Thomas Pietsch nga fushata “Katër putra” me bazë në Londër tha:“ Ariu shfaq çrregullime shumë të forta në sjellje dhe kjo është provë e qartë e mungesës së mirëqënies. Sjellja e vetë-lëndimit nuk është e shëndetshme dhe është rezultat i kushteve të jetesës monotone dhe të izoluar”.

Tomi është një nga 80 arinjtë e mbyllur në kafaze në Shqipëri dhe organizatat përkatëse kërkojnë që kjo mizori të marrë fund menjëherë, shkruan Daily Mail.