Në lidhje me zbulimin dhe sekuestrimin e tre pakove me armë që do të niseshin nga aeroporti i Rinasit dhe kishin për destinacion Britaninë e Madhe, ka shkruar edhe “Daily Mail”.

Prestigjiozja britanike shkruan në një artikull të sajin se dyshimet ishin se armët do të përdoreshin për ndonjë sulm terrorist të mundshëm, apo se edhe mund të ishin pjesë e krimit të organizuar.

Armët e llojit kallashnikov, ishin të fshehura në tri kuti postare. Stafi i sigurimit i gjeti armët në pjesën e ngarkesës së aeroportit të Tiranës. Ato ishin të mbështjella në peshqirë dhe qese brenda kutive DHL që përmbante edhe rroba dhe letra.

Zyrtarët nuk kanë zbuluar adresën e synuar të shpërndarjes, por thanë se kanë njoftuar homologët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

I dyshuari për këtë rast nga ana e autoriteteve shqiptare është Sajmir Çullhaj, 32 vjeç, i cili u arrestua në Shqipëri pas konfiskimit të armeve. Thuhet se ai kishte marrë urdhra për të lëvizur armët tri ditë para se të dërgonte pakon të premten.

Ai ka refuzuar të japë më shumë detaje se nga vijnë armët, se për çfarë do të përdoreshin ose për marrësit e tyre të synuar. Detektivët gjithashtu po hetojnë një person tjetër, të identifikuar me inicialet N.F. nga qyteti i Durrësit. Zëdhënësi i DHL-së nuk i është përgjigjur kërkesës lidhur me rastin në fjalë.

Ndërkohë sipas hetimeve të deritanishme në Shqipëri, dyshohet se Çullhaj, i dënuar më parë për trafik narkotikësh, bën pjesë në një grup të strukturuar kriminal në Britani që shpërndan drogë. Dhe pikërisht arma iu duhej pjesëtarëve të organizatës kriminale për t’u mbrojtur. Ndërkohë policia ende nuk e ka kapur bashkëpunëtorin e Çullhajt, nga Durrësi, i cili është shpallur në kërkim.