Shefja e stafit të Presidentit Donald Trump, Susie Wiles, ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar nga Daily Mail, duke mohuar kategorikisht se ka pasur ndonjë debat me Richard Grenell gjatë Konventës Kombëtare Republikane.
Media britanike raportonte dy ditë më parë se gjatë konventës kishte ndodhur një përplasje mes Wiles dhe Grenell, që dyshohet se kishte ndikuar negativisht në pozicionin e këtij të fundit, duke ndikuar në mosangazhimin e tij në poste të nivelit të lartë në një mandat të dytë të Trump.
Në një telefonatë të premten në mëngjes me redaksinë e Daily Mail, Wiles i hodhi poshtë këto pretendime. “Ai nuk është miku im më i mirë. Ne nuk jemi të afërt, dhe ideja që kemi pasur ndonjë sherr, nuk e di… dhe nuk mendoj se ai ndihet kështu për mua. Nuk mund të them që kurrë nuk jam përlotur, por kjo ndodh rrallë dhe kurrë për shkak të tij… Ky debat thjesht nuk ka ndodhur”, u shpreh Wiles që shtoi se nuk ka pasur asnjë incident të tillë.
Sipas Daily Mail, përplasja e pretenduar kishte të bënte me kohën e fjalimit të Grenell, e cila, sipas burimeve pranë Shtëpisë së Bardhë, u përshkallëzua në tone të ashpra dhe mesazhe fyese.
Megjithatë, edhe vetë Grenell e ka mohuar ekzistencën e një konflikti, duke deklaruar se ruan marrëdhënie miqësore me Wiles.





