Shqipëria vijon të jetë në lupën e mediave ndërkombëtare që e rekomandojnë si një nga destinacionet që duhet vizituar gjatë këtij viti.

Prestigjiozja britanike “Daily Mail”, në artikullin më të fundit shkruan se Shqipëria është pjesë e vendeve europiane për t’u vizituar për pushime, sidomos për ata të cilët duan të shmangin turmat në vendet turistike.

Sipas “Daily Mail”, në të gjithë kontinentin, udhëtarët që pushojnë në vende të njohura janë bërë gjithnjë e më të frustruar për shkak të mbipopullimit, çmimeve të shtrenjta dhe humbjes së sharmit autentik, ndaj Shqipëria duhet të jetë pjesë e listës për vitin 2026.

Prestigjiozja britanike shkruan në artikullin e fundit se destinacionet që dikur ishin të fshehura dhe me pak të njohura për udhëtarët britanikë, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Sllovenia, tashmë kanë tërhequr miliona vizitorë ndërkombëtarë vitet e fundit, në kërkim të plazheve unike dhe qetësisë.

“Daily Mail” nënvizon se interesi për këto destinacione turistike është rritur ndjeshëm vitin e kaluar, me Google Trends që zbulon një rritje prej 122.6% në motorët e kërkimit.

Vit pas viti, vendi ynë ka njohur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve britanikë që e zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të preferuar jo vetëm për plazh, por gjatë gjithë vitit edhe për historinë, kulinarinë dhe natyrën e bukur.