Teuta, pas dy fitoreve ndaj Skënderbeut në Kupë dhe kampionat, e ka kthyer fokusin te ndeshja e fundjavës ndaj Partizanit. Mesfushori Asion Daja, i cili vjen në këtë sfidë me statusin e ish-it, komenton suksesin e fundit të durrsakëve, si beson se Teuta e ka lënë pas krizën. Daja thekson se nuk duhet të harrojmë që “djemtë e detit” janë kampionët në fuqi.

Sa e rëndësishme ishte fitorja për Teutën, ku kthesa erdhi që në Kupë?

Që para ndeshjes së mesjavës me Skënderbeun e kishim diskutuar se një fitore në Kupë do të na jepte më shumë besim për sfidën e kampionatit, pasi do të luanim sërish ndaj korçarëve. Të dyja ndeshjet me Skënderbeun ishin shumë të rëndësishme për ecurinë e skuadrës.

Mund të thuhet se tani i keni dhënë fund krizës së ekipit?

Shpresoj që të jetë një fitore kthese për ekipin tonë, sepse me këtë kontigjent që kemi dhe investimin që është bërë dhe po bëhet kërkohet vazhdimësi. Mos të harrojmë se ne jemi kampionët në fuqi.

Si është harmonia dhe mirëkuptimi me njëritjetrin te Teuta?

Harmonia mendoj është e lidhur edhe me rezultatet. Kur ka rezultate pozitive dhe harmonia vjen natyrshëm. Shpresojmë ta mbajmë këtë harmoni dhe ecuri pasi i dimë mundësitë tona.

Fazën e tretë e nisni me Partizanin. Ka qenë më e vështirë në dy duelet e shkuara apo këtë fundjavë?

Për ne është më mirë që ndeshjen e radhës e kemi me Partizanin, pasi është një ekip që të mobilizon nga vetë emri. Gjithashtu, Partizani është një ekip që do të luajë për fitore dhe do të jetë ndeshje që na përshtatet më shumë.

Teuta vjen përballë “demave” me moral më të lartë se kundërshtari…

Ne duhet të vazhdojmë ecurinë pozitive dhe të shikojmë vetëm veten tonë se jemi larg pritshmërive.

A ka diçka që i druheni Partizanit para ndeshjes së të shtunës?

Ne jemi kampionët në fuqi dhe nuk i druhemi asnjë ekipi. Teuta ka pasur luhatjet e saj këtë sezon, por jo për meritë të kundërshtarit.

Për sa u takon dy fazave të para, a e keni marrë atë që meritoni?

Dy fazat e para për mendimin tim kanë qenë një zhgënjim. Besoj se me dy fitoret e fundit e kemi hedhur prapa krahëve krizën dhe do të bëjmë maksimumin në pjesën e mbetur, në Kupë dhe kampionat. Synimi është ta mbyllim sezonin me trofe dhe mundësit janë realisht të mëdha.